Rritet fushata pro-ruse në Telegram: Republika Srpska në qendër të propagandës dixhitale

Në muajt e fundit, në rrjetin social Telegram është vërejtur një valë e re propagande pro-ruse që ka në shënjestër Bosnjën dhe Hercegovinën, me theks të veçantë në entitetin Republika Srpska (RS). Nëpërmjet qindra kanaleve dhe profileve, po përhapen narrativa që promovojnë ndarjen e Bosnjës, glorifikojnë Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin, ndërsa sulmojnë Bashkimin Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë, Christian Schmidt.
Sipas raportimeve të Vijesti dhe një hulumtimi nga Radio Free Europe, rrjete kanalesh si “Republika Srpska 22” dhe “Istok info”, me dhjetëra mijëra ndjekës, publikojnë rregullisht përmbajtje që mbështesin ish-presidentin e RS, Milorad Dodik, dhe partinë e tij SNSD. Këto kanale mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, sulmojnë opozitën dhe e paraqesin Rusinë e Kinën si “miqtë e vërtetë të serbëve”.
Pas vendimit gjyqësor që dënoi Dodikun me një vit burg dhe ia ndaloi ushtrimin e funksioneve publike, aktiviteti i kanaleve pro-ruse është shtuar ndjeshëm. Deklaratat e tij për “mbështetjen ruse në pavarësinë e RS” janë shpërndarë në mënyrë të koordinuar në të ashtuquajturin “Rrjeti Serb i Informacionit”.
Edhe kanalet ruse me ndikim, si Rybar (me 1.4 milion ndjekës), kanë përforcuar mesazhet se “Rusia nuk do t’i braktisë serbët në Ballkan”. Në të njëjtën linjë janë edhe Serbski vestnik dhe Balkanska Spletnica, që e paraqesin Bosnjën si “viktimë të kontrollit perëndimor”.
Ndryshim të dukshëm në retorikë ka pasur në fillim të tetorit, pas emërimit të Ana Trišić Babić si presidente e përkohshme e RS dhe heqjes së disa sanksioneve amerikane ndaj bashkëpunëtorëve të Dodikut. Disa kanale tani flasin për një “marrëveshje të mundshme mes Dodikut dhe SHBA-së”, ku “Rusia dhe Hungaria do të ishin garantuese për heqjen e OHR-së”.
Përveç Telegramit, edhe mediat e afërta me Kremlinin si RT Balkan dhe Sputnik Serbia vazhdojnë të përhapin mesazhe të ngjashme në rajon. Ndërkohë, Dodik dhe Putin kanë mbajtur kontakte të rregullta – takimi i fundit mes tyre u zhvillua më 2 tetor në Soçi, i nënti që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Në raportin e fundit të Komisionit Evropian, theksohet se Rusia dhe Kina po shfrytëzojnë ndarjet etnike dhe dobësinë institucionale të Bosnjës për të ngadalësuar reformat dhe për të minuar besimin e qytetarëve në Bashkimin Evropian.
Me mbi një miliard përdorues, Telegram mbetet një nga platformat kryesore për luftën e informacionit, duke e kthyer hapësirën dixhitale në një fushëbetejë propagande që po ndikon drejtpërdrejt edhe në zhvillimet politike në Bosnjë dhe rajon.



