Kosova vendos nën mbrojtje paraprake malin Mokna dhe liqenin e Ujmanit

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të malit Mokna dhe liqenit të Ujmanit, duke e cilësuar këtë si një ndër vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Durmishi ka bërë të ditur se me këtë hap, Republika e Kosovës bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në Ballkanin Perëndimor.
“Të dashur qytetarë, javën e kaluar kam nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të ‘malit Mokna dhe liqenit të Ujmanit’, një nga vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në vendin tonë”, ka shkruar ai.
Sipas Durmishit, vendimi pason një studim njëvjeçar në terren, i cili ka treguar se zona përbën pasuri të rrallë natyrore, me biodiversitet të pasur dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike e shkencore.
Me këtë vendim, sipërfaqja prej 192.19 kilometra katrorë vihet nën mbrojtje paraprake, duke e rritur në 12.4% përqindjen e territorit të Kosovës që mbrohet ligjërisht.
Durmishi ka theksuar se qëllimi i kësaj nisme është ruajtja e vlerave natyrore dhe burimeve ujore të zonës, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen afatgjatë të ekosistemeve në vend.



