KMDLNj kundërshton ashpër marrëveshjen eventuale me Mbretërinë e Bashkuar për refugjatët e paligjshëm: “Kosova nuk ka kapacitete, do të rrezikohej siguria dhe të drejtat e njeriut”

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj mundësisë së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar për vendosjen e refugjatëve të paligjshëm apo të dënuarve në territorin e Kosovës.
Në një komunikatë për media, KMDLNj thekson se Kosova nuk ka kapacitete fizike, materiale, profesionale e njerëzore për të menaxhuar një numër të madh refugjatësh apo të burgosurish, duke kërkuar që autoritetet e vendit të refuzojnë çdo kërkesë të tillë, ashtu siç kanë bërë edhe shtetet e tjera të rajonit.
“Pas dështimit të marrëveshjes së Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën, kryeministri britanik Keir Starmer ka shprehur interes që refugjatët e paligjshëm dhe të burgosurit të vendosen në Kosovë. Për fat të keq, kryeministri kujdestar Albin Kurti, pa debat institucional, i ka premtuar homologut britanik se Kosova do t’i pranojë këta refugjatë, si ndihmë ndaj Mbretërisë së Bashkuar,” thuhet në reagim.
KMDLNj paralajmëron se një marrëveshje e tillë do të shkaktonte pasoja të rënda për sigurinë dhe të drejtat e njeriut, duke kujtuar marrëveshjen e mëparshme me Danimarkën për dërgimin e 300 të dënuarve në Kosovë, të cilën organizata e kishte kundërshtuar ashpër.
Sipas Këshillit, Kosova tashmë ka vështirësi në menaxhimin e një numri të vogël refugjatësh dhe azilkërkuesish, të cilët janë përfshirë në raste të vjedhjeve, narkotikëve dhe incidenteve të tjera.
“Pranimi i refugjatëve dhe të burgosurve që do të transferohen në mënyrë të dhunshme dhe kundër vullnetit të tyre do të përbënte shkelje të të drejtave të njeriut dhe do ta etiketonte Kosovën si shtet që i cenon këto të drejta,” thuhet më tej.
KMDLNj thekson se Kosova duhet të angazhohet vetëm për riatdhesimin e shtetasve të saj që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar, e jo të pranojë refugjatë apo të burgosur të huaj.
Sipas organizatës, jetësimi i këtyre marrëveshjeve do të sillte rritje të kriminalitetit, trafikimit me qenie njerëzore, përhapjen e islamit radikal, narkotikëve dhe dhunës seksuale, duke rrezikuar seriozisht sigurinë publike në vend.
Në fund, KMDLNj kujton se, pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, çdo marrëveshje që bie ndesh me parimet e të drejtave të njeriut do të anulohet automatikisht.



