Shtatë të arrestuar për spiunazh në Kosovë që nga qershori 2024 – katër prej tyre shqiptarë

Vetëm nga qershori i vitit 2024 e deri më tani, në Kosovë janë arrestuar shtatë persona nën dyshimin për bashkëpunim dhe spiunazh në shërbim të inteligjencës serbe, katër prej tyre me kombësi shqiptare. Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka njoftuar se gjatë këtij viti ka ngritur katër aktakuza ndaj pesë personave për veprën penale të “spiunazhit”.
Njohës të çështjeve të sigurisë dhe ekspertë juridikë e kanë vlerësuar punën e institucioneve vendore në identifikimin e këtyre rasteve, por njëkohësisht kanë kërkuar më shumë profesionalizëm dhe kujdes për të shmangur politizimin e proceseve hetimore.
Ish-nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, tha për Ekonomia Online se spiunazhi përbën rrezik serioz për sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit.
“Mendoj që është bërë një punë e mirë me arrestimin e personave të dyshuar për spiunazh. Institucionet tona – Policia, Prokuroria dhe AKI – duhet të punojnë më me ngulm që këta persona të dalin para drejtësisë. Kemi të bëjmë me një vepër penale të parashikuar në nenin 124 të Kodit Penal, me dënime nga 5 deri në 15 vjet burgim. Rrezikshmëria është e lartë sepse preken institucionet e sigurisë, FSK-ja, sovraniteti dhe tërësia territoriale e vendit,” deklaroi Morina.
Sipas tij, shërbimi inteligjent serb, BIA, synon të destabilizojë Kosovën përmes rekrutimit të qytetarëve kosovarë.
“Serbia, përmes BIA-s, po përpiqet të përvetësojë qytetarët tanë për të siguruar informacione mbi institucionet e sigurisë. Qëllimi kryesor është destabilizimi i Kosovës, ndërsa në këtë veprimtari përfshihen edhe shërbimet ruse e kineze,” shtoi ai.
Nga ana tjetër, avokati Muhamet Mujaj ka shprehur rezerva për mënyrën se si institucionet po i trajtojnë rastet e spiunazhit, duke sugjeruar se disa prej tyre mund të kenë motive politike.
“Në disa raste kam vërejtur nguti nga institucionet për t’i paraqitur këto raste në publik. Mungesa e provave të forta dhe publikimi i hetimeve konfidenciale dëmton si procesin hetimor ashtu edhe reputacionin e të dyshuarve,” tha Mujaj.
Ai apeloi që hetimet të zhvillohen në mënyrë profesionale e konfidenciale, për të shmangur njollosjen e individëve që mund të dalin të pafajshëm.
Arrestimet për spiunazh në Kosovë nisën më 5 qershor 2024, me ndalimin e Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit në Ferizaj. Më pas, autoritetet arrestuan edhe Aleksandër Vllajiqin, Bojan Jevtiqin, Hysri Selimin, Jelena Gjukanoviqin dhe së fundmi Fatmir Shehollin.
Në qershor të vitit 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Aleksandër Vllajiqin me pesë vjet burgim për spiunazh dhe me një mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Ai pranoi se kishte dërguar informacione te BIA serbe, duke u bërë personi i parë i dënuar për spiunazh që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Ky rast shënon një fazë të re të luftës kundër spiunazhit në vend, por edhe debat mbi balancën mes sigurisë kombëtare dhe respektimit të procedurave ligjore.



