Kosova

Raporti alarmues: Mbi 4 milionë pacientë në Evropë dhe Ballkan preken çdo vit nga infeksionet spitalore – Kosova me shkallë të lartë në QKUK

Çdo vit, rreth 4.3 milionë pacientë në spitalet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor preken nga infeksionet spitalore. Kështu tregon raporti i fundit i Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), i realizuar gjatë viteve 2022–2023 në mbi 1,600 spitale të rajonit.

Sipas raportit, gati çdo i 14-ti pacient i shtruar, apo 6.2% e pacientëve, zhvillon infeksione gjatë qëndrimit në spital. Infeksionet më të shpeshta janë ato të traktit respirator, traktit urinar, plagëve kirurgjikale dhe infeksionet e gjakut.

Në raport është përfshirë edhe Kosova, megjithëse ECDC-ja nuk ka dhënë të dhëna të veçanta për spitalet vendore.

Një pasqyrë për situatën në vend e ofron studimi i nëntë studiuesve të udhëhequr nga mikrobiologu Lul Raka, i realizuar në vitin 2016 dhe i publikuar në 2019. Sipas këtij hulumtimi, i cili përfshiu shtatë spitalet rajonale të Kosovës dhe Klinikat e QKUK-së, prevalenca e infeksioneve spitalore ishte 4.9%.

QKUK-ja kishte shkallën më të lartë – 7.2% e pacientëve kishin pësuar të paktën një infeksion gjatë trajtimit. Pas saj renditen Spitali i Pejës me 5.6% dhe ai i Gjakovës me 2.4%. Infeksionet më të zakonshme ishin ato të plagëve kirurgjikale, të gjakut dhe traktit urinar.

Studimi gjithashtu evidentoi përdorimin e tepruar të antibiotikëve – 56.8% e pacientëve kishin marrë antibiotikë gjatë qëndrimit në spital.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), vetëm gjatë një viti janë regjistruar rreth 1,700 raste të stafit mjekësor ose punonjësve spitalorë që ishin të infektuar dhe potencialisht mund të përhapnin sëmundje ngjitëse te pacientët.

Edhe pse Ministria e Shëndetësisë kishte përfshirë në planin e veprimit për vitet 2020–2021 masa për parandalimin e infeksioneve spitalore – përfshirë trajnimin e stafit, auditime periodike dhe protokolle të detajuara – raporti i IKShPK-së për vitin 2024 konkludon se në spitalet e Gjilanit, Prizrenit dhe Ferizajt është evidentuar kontaminim bakteror në kushte higjieniko-sanitare.

Ekspertët theksojnë se nevojiten masa urgjente, monitorim më rigoroz dhe menaxhim më i mirë i përdorimit të antibiotikëve, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksioneve spitalore në Kosovë dhe rajon.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button