Kosova

U dha fjala përfundimtare në gjykimin ndaj Salih Kelmendit në rastin “Subvencionet 1” – Prokuroria ndryshon akuzën, mbrojtja e quan “bëllok”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martën është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj të akuzuarit Salih Kelmendi, pjesë e rastit të njohur “Subvencionet 1”.

Prokurori i rastit, Rafet Halimi, ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga “Marrje ryshfeti” në “Ushtrim ndikimi”, duke theksuar se ky ndryshim bazohet në rolin dhe statusin që Kelmendi kishte gjatë ndërmarrjes së veprimeve.

Në elaborimin e fjalës përfundimtare, Halimi tha se nga dëshmitë e dëshmitarëve bashkëpunues, Bekim Shala dhe Alban Bushati, është vërtetuar se Kelmendi ka kryer veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Falsifikim dokumentesh”. Sipas tij, të akuzuarit kishin arritur marrëveshje që 70 për qind të përfitimit të kundërligjshëm ta ndanin mes tyre.

Prokurori shtoi se Kelmendi nuk i është përgjigjur ftesave të Prokurorisë gjatë hetimeve, çka ka bërë që të lëshohet urdhërarrest ndaj tij, dhe se dëshmitarët bashkëpunues kanë dëshmuar pa përfitime, pasi kanë vuajtur dënime për veprimet e tyre.

Ndërkaq, avokati mbrojtës Besnik Berisha e quajti rikualifikimin e Prokurorisë “bëllok”, duke ironizuar para trupit gjykues:

“Jo bre, s’p’e kqyri kadal dale hiç vallai, ma bërllok se ajo që u kanë, unë po e quaj, çu Salih deklarohu jo fajtor edhe u kry”, tha Berisha.

Pas kësaj deklarate, reaguan gjykatësi Kujtim Krasniqi dhe prokurori Halimi, duke kërkuar ruajtje të rendit në sallë. Më pas, i akuzuari Kelmendi u deklarua i pafajshëm.

Berisha në vijim e quajti rikualifikimin “shkarravinë”, duke pretenduar se Prokuroria nuk ka prova të qëndrueshme ndaj klientit të tij. Ai theksoi se nuk mund të kërkohet ekspertizë grafologjike nga personi nën hetim, sipas një vendimi të Gjykatës Supreme, dhe se Kelmendi me të drejtë e ka refuzuar një kërkesë të tillë.

“Besoj fuqishëm se edhe këta vetë e bëjnë për të la turpin që e kanë ba me arrestimin”, tha Berisha, duke akuzuar Prokurorinë se me “foldera të shumtë po tenton të arsyetojë veprimet e veta”.

Në fund, mbrojtja kërkoi lirimin e Kelmendit nga akuza.

Rasti “Subvencionet 1”

Ky proces gjyqësor është një ndër më të mëdhenjtë në vend për keqpërdorime me subvencione bujqësore.
Në shkurt të vitit 2022, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 21 personave, ndërsa gjatë procesit disa prej tyre pranuan fajësinë.

Në prill të vitit 2022, shtatë të akuzuar – mes tyre Alban Bushati, Bekim Shala dhe Dukagjin Mavraj – u dënuan me gjithsej 6 vite e 1 muaj burg dhe 2 mijë euro gjobë.

Në janar të vitit 2025, Gjykata shpalli aktgjykim edhe për 12 të tjerë, duke i dënuar me gjithsej 31 vite burg efektiv, 171 mijë euro gjobë dhe 6 vite burg me kusht, ndërsa një u lirua nga akuza.

Procedura për Salih Kelmendin ishte veçuar më herët dhe është duke u shqyrtuar më vete.

Rasti “Subvencionet 1” lidhet me keqpërdorimin e subvencioneve bujqësore, marrjen dhe dhënien e ryshfetit, falsifikimin e dokumenteve dhe ushtrimin e ndikimit në proceset e ndarjes së fondeve publike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button