Kosova drejt zgjedhjeve të treta brenda një viti – ekspertët: Dëmtohet buxheti dhe ekonomia e vendit

Brenda vetëm nëntë muajve, Kosova ka kaluar në dy procese zgjedhore – zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ato lokale të 12 tetorit, balotazhi i të cilave pritet të mbahet më 9 nëntor. Megjithatë, ekziston mundësia që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, pasi në dhjetor mund të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në rast se nuk formohet qeveria e re.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thonë se shkuarja e shpeshtë në zgjedhje ka kosto të lartë financiare dhe dëmton buxhetin e shtetit.
“Vetëm zgjedhjet e 9 shkurtit kushtuan rreth 9 milionë euro, ndërsa ato lokale të 12 tetorit mbi 6 milionë euro. Pra, vetëm gjatë këtij viti janë shpenzuar rreth 15 milionë euro. Nëse vendi shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme, ato do t’i kushtojnë buxhetit edhe rreth 9 milionë euro shtesë”, tha Vullnet Bukaqku nga KDI.
Ndërkohë, qytetarët shprehen të lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore, duke i konsideruar ato të dëmshme për vendin dhe ekonominë.
“Normal që e dëmton shumë vendin. Zgjedhjet na kanë ardhur në majë të hundës”, tha një qytetar.
“Po dëmtohet shumë buxheti. S’kemi nevojë për zgjedhje tjera, më mirë të investohen këto para diku tjetër”, shtoi një tjetër.
Megjithatë, disa qytetarë vlerësojnë se zgjedhjet janë të domosdoshme kur vendi përballet me kriza institucionale.
“Këto e dëmtojnë ekonominë, por kur s’ka zgjidhje tjetër, duhet me u mbajt”, u shpreh një qytetar tjetër.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, paralajmëron se mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve brenda një viti ka pasoja të drejtpërdrejta në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Zgjedhjet e shpeshta jo vetëm që e dëmtojnë buxhetin, por krijojnë pasiguri politike dhe ekonomike, duke ndikuar negativisht në investime dhe stabilitet financiar”, theksoi ai.
Nëse skenari i zgjedhjeve të jashtëzakonshme realizohet, Kosova do të përballet me tre procese zgjedhore brenda një viti, një situatë që rrallëherë është parë në historinë politike të vendit.



