Kurti: Nuk është kollaj ta formojmë qeverinë, alternativa janë zgjedhjet e reja

Të dielën përfundon afati ligjor për formimin e qeverisë së re nga Lëvizja Vetëvendosje, me Albin Kurtin si mandatar për kryeministër. Megjithatë, vetë Kurti është shprehur i pasigurt nëse një marrëveshje e tillë mund të arrihet brenda afatit.
Në një deklaratë për media, ai tha se procesi po shkon me vështirësi për shkak të “atmosferës së intoksikuar” në vend, të mbushur, sipas tij, me “xhelozi, inate dhe cinizëm”, më shumë sesa me “ide, punë e pasion”.
“Do të përpiqemi maksimalisht që deri të dielën, më së largu, ta bëjmë qeverinë. Të hënën s’mundemi më me u përgatit, ose e kemi bërë qeverinë, ose jo. Nuk është kollaj, është intoksu atmosfera shumë. Ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë se ide, punë e pasion. Por do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë”, tha Kurti.
Ai shtoi se, në rast se nuk arrihet marrëveshja për formimin e qeverisë, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje të reja.
“Ose do ta bëjmë ne qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje prapë. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre alternative”, deklaroi kryetari i VV-së.
Në ditët në vijim, Vetëvendosje pritet të intensifikojë komunikimet me partitë e tjera politike për të siguruar mbështetjen e nevojshme për formimin e kabinetit qeveritar.



