Specialja refuzon shumicën e provave të mbrojtjes së Jakup Krasniqit

Gjykata Speciale ka refuzuar shumicën e provave që mbrojtja e Jakup Krasniqit, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kishte paraqitur për t’u përdorur në gjyqin ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Sipas vendimit të gjykatës, shumë nga materialet e propozuara, përfshirë raporte ndërkombëtare dhe materiale mediale, nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me akuzat ndaj të akuzuarit. Paneli i gjykatësve thekson se mbrojtja nuk ka arritur të dëshmojë që ngjarjet e përshkruara lidhen me veprimtarinë e UÇK-së në kohë dhe vend që lidhet me aktakuzën.
Një nga provat e refuzuara ishte një video e BBC-së që dokumentonte krime të kryera nga forcat serbe në Rahovec. Sipas gjykatës, vetëm dy segmente të videos konsiderohen të rëndësishme për çështjen aktuale, ndërsa pjesa tjetër është jorelevante.
Gjykata gjithashtu hodhi poshtë një provë tjetër që lidhej me marrëdhëniet midis UÇK-së dhe LDK-së, duke theksuar se përmbajtja e saj nuk lidhet me qëllimet e pretenduara të të akuzuarve. Avokatët e Krasniqit kërkonin që materialet të përdoren për të treguar se UÇK-ja nuk kishte kontroll mbi individët që kryenin krime pas përfundimit formal të luftës, por gjykata i konsideroi këto prova të dobëta dhe të paqëndrueshme për qëllime ligjore.
Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar më parë që këto prova të refuzoheshin, duke argumentuar se nuk kanë rëndësi për akuzat dhe nuk janë të pranueshme proceduralisht.
Avokatët e Krasniqit kanë argumentuar se materialet mbështesin dëshmitë e dëshmitarëve dhe dokumentet e tjera në gjykim, duke vënë në dukje mungesën e kontrollit të të akuzuarit mbi veprimet e individëve të UÇK-së dhe mungesën e dijenisë për krimet e kryera. Megjithatë, gjykata i ka konsideruar këto pretendime të pamjaftueshme për pranimin e provave.



