Dy të akuzuar pranojnë fajësinë për sulmin ndaj Policisë dhe Doganës në Mitrovicë të Veriut

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë seancës fillestare të mbajtur të martën, dy nga gjashtë të akuzuarit në rastin e dhunës në Mitrovicë të Veriut kanë pranuar fajësinë, ndërsa katër të tjerët janë deklaruar të pafajshëm.
Të akuzuarit Nenad Miljkoviq dhe Aleksandar Llaziq pranuan fajësinë për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”. Ndërkaq, Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq dhe Marko Rakiq u deklaruan të pafajshëm për të njëjtën vepër. Sofronijeviq akuzohet gjithashtu për “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 23 shtator 2025, gjashtë të akuzuarit më 13 tetor 2021 kishin marrë pjesë në turma të mbledhura në Mitrovicë të Veriut, ku kishin sulmuar me gurë, shufra druri, metali dhe granata dore pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Doganës, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm dhe lëndime trupore për disa prej tyre.
Avokati i Nenad Miljkoviq, Haxhi Millaku, theksoi se klienti i tij e kishte pranuar fajësinë me vullnet të lirë dhe kërkoi që në rast se shqiptohet dënim me burgim, ai të zëvendësohet me gjobë. Avokatja e Aleksandar Llaziq, Jelena Krivokapiq, tha se klienti i saj kishte vepruar me dëshirë të lirë dhe kërkoi gjithashtu zëvendësimin e burgimit me gjobë në rast dënimi.
Prokurorja Arbresha Shala u pajtua me pranimin e fajësisë nga dy të akuzuarit dhe propozoi që ky fakt të merret si rrethanë lehtësuese gjatë shqyrtimit të sanksionit penal. Gjykatësi Vesel Ismaili e aprovoi pranimin e fajësisë për Miljkoviq dhe Llaziq dhe njoftoi katër të tjerët se kanë të drejtë që brenda 30 ditëve të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës ose kundërshtim të provave.
Rasti lidhet me sulmet e datës 13 tetor 2021, kur turma e organizuar sulmoi pjesëtarët e Policisë dhe Doganës, duke vendosur barrikada dhe duke përdorur armë dhe mjete të ndryshme, ndërsa është shkaktuar edhe dëmtim material në vlerë mbi 20,000 euro.
Gjykimi pritet të vazhdojë për katër të akuzuarit që kanë refuzuar fajësinë, ndërsa trupit gjykues i është dorëzuar njoftimi se Prokuroria do t’ua sigurojë të gjitha provat mbrojtësve përmes fletëdorëzimit dhe e-mail.



