Kosova

Haga refuzon shumicën e provave të mbrojtjes së Jakup Krasniqit për krimet serbe në Kosovë

Gjyqtarët e Dhomave të Specializuara në Hagë kanë refuzuar pjesën më të madhe të provave të paraqitura nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, të cilat dëshmonin për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Sipas vendimit të siguruar nga Nacionale, paneli gjykues ka vlerësuar se këto dëshmi “janë përgjithësisht të parëndësishme” për çështjen që po shqyrtohet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në vendim thuhet se mbrojtja e Krasniqit “nuk ka arritur të vërtetojë ndonjë lidhje mes akuzave dhe provave që dëshmojnë krimet e Serbisë në Kosovë”.

Një nga provat e rrëzuara, e njohur si Prova 11, përfshinte një material të BBC-së me video-incizime për krimet serbe në Rahovec dhe zona përreth. Gjykata pranoi vetëm një pjesë të shkurtër të këtij materiali, atë që lidhej me gatishmërinë e UÇK-së për të ndihmuar në hetimet e krimeve, por jo me dëshmitë për mizoritë serbe.

“Paneli kujton qëndrimin e tij se provat për krimet e dyshuara të kryera nga forcat serbe janë përgjithësisht të parëndësishme për akuzat kundër të Akuzuarit”, thuhet në vendim.

Po ashtu, u refuzua edhe Prova 15, që lidhej me marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Sipas trupit gjykues, përmbajtja e saj “nuk ka asnjë rëndësi për rastin aktual”.

Nga ana tjetër, Prova 16, e cila përfshinte dokumente për krimet serbe dhe dhunën sporadike të pasluftës, u pranua vetëm pjesërisht — jo për përmbajtjen e saj, por për të ndihmuar gjykatën në “përfundime të kufizuara” lidhur me politikën e UÇK-së.

Gjykata refuzoi gjithashtu Provat 18 dhe 19, që përshkruanin situatën e kthimit të refugjatëve dhe praninë e KFOR-it në Rahovec pas luftës, duke i cilësuar ato si “të parëndësishme për akuzat”.

Vendimi vjen pak kohë pasi Prokuroria e Hagës kërkoi që këto prova të mos pranohen. Ndërkohë, më herët, Gjykata kishte pranuar dokumente që i përkisnin zyrtarisht institucioneve të Beogradit.

Ky vendim pritet të shkaktojë reagime në opinionin publik, pasi shumë nga provat e mbrojtjes konsideroheshin të rëndësishme për kontekstin e përgjithshëm të luftës në Kosovë dhe rolin mbrojtës të UÇK-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button