KQZ përmbyll numërimin e votave nga jashtë, nis rinumërimet dhe numërimin e votave me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e numërimit të votave të ardhura nga jashtë vendit, ndërsa po vazhdon me rinumërimet e urdhëruara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), si dhe me numërimin e votave me kusht dhe të atyre të personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave nga jashtë Kosovës ka përfunduar të hënën rreth mesnatës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
“Të hënën rreth mesnatës, në QNR është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës. Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit përmes postës, të realizuar nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, dhe janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë,” tha Elezi.
Sipas tij, të martën në mëngjes ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve me vendim të PZAP-it, në komunat Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06), Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02).
Gjatë ditës pritet të nisë edhe numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Votimi me kusht është zhvilluar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa për personat me nevoja të veçanta është mundësuar votimi përmes ekipeve mobile.
Procesi do të nisë me komunat Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, ku tashmë është përmbyllur skanimi i listave të votuesve.
Sipas KQZ-së, janë mbi 2,119 zarfe me vota me kusht që i përkasin të dyja llojeve të zgjedhjeve – për kryetarë komunash dhe për kuvendet komunale, ndërsa mbi 3,467 persona me nevoja të veçanta kanë votuar përmes ekipeve mobile.
Elezi theksoi rëndësinë e procesit të skanimit të listave të votuesve, i cili zhvillohet paralelisht në QNR.
“Ky hap është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht, për të identifikuar rastet kur ndonjë person mund të ketë votuar dy herë,” tha ai.
Pas përfundimit të numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, KQZ do të mund të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor.



