Edhe 11 komuna pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm, shkak procesi zgjedhor komunal

Procesi i miratimit të buxheteve komunale për vitin fiskal 2026 ende nuk është finalizuar në të gjithë territorin e Kosovës. Sipas drejtorit të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, aktualisht 11 komuna nuk e kanë miratuar ende buxhetin: Vitia, Lipjani, Vushtrria, Malisheva, Shtimja, Juniku, Zubin Potoku, Gjilani, Prizreni, Prishtina dhe Suhareka.
Ibrahimi tha për Front Online se kjo situatë është pasojë e rrethanave politike në vend, pasi Kosova ndodhet në proces zgjedhor komunal dhe në disa komuna më 9 nëntor do të mbahet balotazhi.
“Kjo gjendje është pasojë e rrethanave politike në Republikën e Kosovës, pasi vendi ndodhet në proces zgjedhor komunal dhe më 9 nëntor mbahet balotazhi në disa komuna. Këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e kuvendeve komunale dhe në procedurën e miratimit të buxheteve”, deklaroi Ibrahimi.
Ai paralajmëroi se nëse buxhetet komunale nuk miratohen para se të kalojë buxheti i shtetit në Kuvend, komunat do të detyrohen të funksionojnë me financim të përkohshëm prej 1/12 të buxhetit të vitit paraprak, çka mund të ndikojë në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
“Rreziku ekziston që nëse buxhetet komunale nuk miratohen para se Kuvendi i Republikës së Kosovës të shqyrtojë dhe miratojë buxhetin e shtetit, komunat të mbesin të kufizuara në financimin e përkohshëm prej 1/12 të buxhetit të vitit paraprak”, shtoi ai.
Për këtë arsye, AKK ka kërkuar nga Ministria e Financave që të shtyhet afati për miratimin e buxheteve, në mënyrë që ato të aprovohen pas konstituimit të kuvendeve të reja komunale dhe të përfshijnë prioritetet e kryetarëve të sapozgjedhur.
Sipas Ibrahimit, mosmiratimi me kohë i buxheteve ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, pasi komunat mund të mbulojnë vetëm shërbimet bazike.
“Shërbimet publike mbulohen vetëm në nivelin bazik, duke penguar nisjen e projekteve të reja. Projektet kapitale si ndërtimi i rrugëve, shkollave, çerdheve, ujësjellësve dhe kanalizimeve mund të pësojnë vonesa të mëdha. Edhe ekonomia lokale mund të dëmtohet nga pasiguria e kontraktorëve dhe bizneseve që bashkëpunojnë me komunat”, u shpreh ai.
Megjithatë, disa kryetarë komunash nuk e shohin këtë vonesë si problematikë serioze, duke theksuar se buxhetet do të miratohen pas certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe konstituimit të asambleve të reja komunale.



