Bota

Kthehet ora e dimrit: Më 26 tetor akrepat zhvendosen një orë prapa

Në fundjavën e fundit të tetorit, Evropa do të rikthehet në kohën dimërore. Ndryshimi ndodh natën mes 25 dhe 26 tetorit 2025, kur akrepat do të kthehen një orë prapa, pikërisht në 03:00 të mëngjesit, që do të thotë se do të kemi një orë më shumë gjumë.

Me këtë ndryshim, dielli do të lindë dhe perëndojë më herët, duke sjellë më pak dritë në orët e pasdites. Ora dimërore është në fakt koha standarde që përdoret gjatë pjesës më të madhe të vitit, ndërsa ora verore u vendos për të shfrytëzuar më mirë dritën e ditës në muajt e ngrohtë.

Koncepti i zhvendosjes së orës daton që nga shekulli i 18-të, kur Benjamin Franklin propozoi idenë për kursim energjie, por ajo u zbatua gjerësisht vetëm në shekullin XX, gjatë luftërave botërore dhe krizës energjetike të viteve 1970.

Megjithatë, shumë ekspertë paralajmërojnë se ndryshimi i orës mund të ndikojë në orën biologjike të trupit, duke shkaktuar lodhje, ulje të përqendrimit dhe vështirësi në gjumë për disa ditë pas ndryshimit.

Bashkimi Evropian po diskuton prej vitesh për heqjen e ndryshimit sezonal të orës. Në vitin 2019, Parlamenti Evropian votoi për ta ndaluar praktikën, por vendimi nuk është zbatuar ende, pasi shtetet anëtare nuk kanë arritur marrëveshje nëse do të qëndrojnë përgjithmonë në orën verore apo dimërore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button