Kosova
Kryesore

Kosova ftohet për anëtarësim në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian të BE-së

Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), institucioni këshilldhënës i Bashkimit Evropian, ka hapur për herë të parë mundësinë për organizatat e shoqërisë civile nga Kosova që të aplikojnë për anëtarësim. Afati për aplikime është deri më 24 tetor, në kuadër të Nismës së shteteve kandidate për zgjerim (ECMc), e iniciuar në vitin 2023.

“Me këtë nismë shpresojmë të fuqizojmë projektet që nxisin dialogun civil dhe social, duke forcuar angazhimin dhe bashkëpunimin brenda komuniteteve kosovare”, thuhet në thirrjen publike të EESC-së.

Në shkurt të vitit 2024, EESC-ja pranoi për herë të parë anëtarë nga shtetet kandidate, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën. Kosova, që nuk ka statusin zyrtar të vendit kandidat, ishte përjashtuar atëherë. Megjithatë, tani komiteti ka vendosur të hapë fazën e dytë të nismës edhe për Kosovën, si një “kandidate potenciale për anëtarësim”.

EESC-ja, e themeluar në vitin 1957 në bazë të Traktatit të Romës, ka për qëllim të këshillojë vendimmarrësit e BE-së dhe të sigurojë që organizatat dhe rrjetet e shoqërisë civile të kenë një zë të fuqishëm në zhvillimin e Evropës. Anëtarët e komitetit veprojnë si ndërmjetës mes vendimmarrësve dhe publikut, duke synuar një proces politikbërjeje më demokratik dhe më efektiv.

Komiteti ka selinë në Bruksel dhe përbëhet nga 329 anëtarë nga të 27 shtetet e BE-së, të cilët përfaqësojnë fusha të ndryshme: punëtorë, punëdhënës, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, fermerë, konsumatorë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut. EESC-ja ndahet në tri grupe: Grupi i Punëdhënësve, Grupi i Punëtorëve dhe Grupi i Organizatave të Shoqërisë Civile. Vetëm anëtarët nga shtetet e BE-së kanë të drejtë vote.

Ndërkohë, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por aplikimi ende nuk ka kaluar fazat e para formale të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe Komisioni Evropian.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button