Kosova
Kryesore

Mundësi për zgjedhje të reja parlamentare në Kosovë nëse nuk formohet Qeveria deri më 26 tetor

Ende pa u përmbyllur procesi i zgjedhjeve lokale, në vend kanë nisur spekulimet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, kësaj radhe për Kuvendin e Kosovës. Kjo mund të ndodhë nëse mandatari për formimin e Qeverisë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, nuk arrin ta paraqesë kabinetin qeverisës në Kuvend deri më 26 tetor — afati kushtetues për formimin e Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në një prononcim për KosovaPress, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka theksuar se institucioni që ai përfaqëson është aktualisht i përqendruar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale dhe në përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.

“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar në përmbylljen e procesit të Zgjedhjeve Lokale, përfshirë shpalljen e rezultateve përfundimtare dhe përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. KQZ nuk komenton deklaratat politike apo paralajmërimet nga liderët politikë, por mbetet e përkushtuar për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore në çdo moment kur një proces zgjedhor shpallet zyrtarisht,” ka deklaruar Elezi.

Megjithatë, ai pranon se mbajtja e një procesi të ri zgjedhor në nivel qendror do të ishte një sfidë për stafin e KQZ-së, për shkak të angazhimeve aktuale.

“Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sigurisht që përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj, veçanërisht për faktin se jemi ende në fazën aktive të administrimit të zgjedhjeve lokale. Por KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme nëse vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve të reja,” shtoi ai.

Aktualisht, KQZ është duke numëruar votat e diasporës dhe ato për disa kuvende komunale, ndërsa balotazhi për dhjetëra komuna do të mbahet më 9 nëntor.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button