Takimi Trump–Zelensky në Uashington përfundon pa marrëveshje, por me tone më të buta

Bisedimet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington nuk prodhuan ndonjë marrëveshje konkrete, por gjithashtu nuk përfunduan me përplasje. Procesi diplomatik pritet të vazhdojë në Budapest, ku Trump ka paralajmëruar një takim të ardhshëm me presidentin rus Vladimir Putin.
Para vizitës, ishin përhapur pritje se Zelensky do të kërkonte raketa Tomahawk ose armë të tjera të avancuara për të ndihmuar Ukrainën në luftën që po zgjat pothuajse katër vjet pas pushtimit rus. Megjithatë, analistët thonë se një kërkesë e tillë nuk ishte realiste.
“Ukrainasit nuk erdhën duke pritur që do t’i merrnin [raketat]. Ato janë shumë të shtrenjta dhe Ukraina nuk ka kapacitet detar për t’i përdorur,” tha për Radion Evropa e Lirë Jeremy Shapiro, udhëheqës i hulumtimeve në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme.
Edhe pse çështja e raketave Tomahawk mbeti vetëm simbolike, ajo shkaktoi reagim të ashpër në Moskë, duke e shtyrë presidentin Putin të zhvillonte një telefonatë me Trumpin më 16 tetor.
Pas takimit, Zelensky deklaroi se Trump nuk e kishte përjashtuar plotësisht mundësinë e një furnizimi të ardhshëm me armë të avancuara. Sipas analistit amerikan Ilan Berman, kjo është një shenjë e rëndësishme politike. “Pyetja tani është nëse Shtëpia e Bardhë do të përgatisë masa që do ta detyrojnë Rusinë të reagojë ndryshe nga më parë,” tha ai.
Në Ukrainë, reagimet ishin më të zymta. Ish-ambasadori ukrainas në Uashington, Valeriy Chaliy, tha se pas përfundimit të paketës së mëparshme të ndihmës, nga 1 nëntori Ukraina nuk ka më mekanizma për të marrë armë nga SHBA-ja. Buxheti i ri amerikan parashikon vetëm 500 milionë dollarë ndihmë – gjysma e kostos së një baterie të sistemit Patriot.
Ndërkohë, sipas Institutit Kiel në Gjermani, ndihma ushtarake evropiane për Ukrainën ka rënë me 57 për qind gjatë muajve të fundit, përfshirë dhe kontributet për programin PURL, që parashikon blerjen e armëve amerikane nga shtetet evropiane për Kievin.
Zelensky konfirmoi se me Trumpin kishte diskutuar për mbrojtjen ajrore, por pa ndonjë marrëveshje konkrete. Megjithatë, atmosfera e takimit u konsiderua më pozitive krahasuar me përplasjen e hapur mes dy liderëve në shkurt.
“Trumpi e ka zbutur qëndrimin ndaj Ukrainës. Kjo është shumë më mirë se në fillim të presidencës së tij,” tha profesori Volodymyr Dubovyk nga Universiteti i Odesës.
Analistët në Uashington theksojnë se marrëdhëniet mes dy udhëheqësve po mbahen në kursin e duhur, dhe takimi i fundit shihet si pjesë e një procesi më të gjerë diplomatik.
Trump ndërkohë ka paralajmëruar se mund të takohet së shpejti me Putin në Budapest, ndoshta në një format të trefishtë ku do të përfshihet edhe Zelensky. Ai tha se është i shqetësuar që Moska po përpiqet të zgjasë procesin pa arritur rezultate konkrete.
Për momentin, samiti i Uashingtonit përfundoi pa përparime të mëdha, por me një ton më të matur diplomatik dhe me pritje për zhvillime të reja në javët në vijim.
/REL/



