Kosova

NATO riafirmon angazhimin për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

Në margjinat e takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, zëvendëssekretarja e përgjithshme e Aleancës, Radmila Shekerinska, ka theksuar angazhimin e fortë dhe afatgjatë të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke vënë në pah rolin e rëndësishëm të misionit KFOR dhe mbështetjen për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Shekerinska u shpreh se, edhe pse NATO përballet me sfida globale të sigurisë, Ballkani Perëndimor mbetet në krye të agjendës së Aleancës. KFOR është misioni më i gjatë dhe më i madh i NATO-s, që dëshmon rëndësinë strategjike të rajonit”, tha ajo për RTK2.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit të sigurisë, përfshirë sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në vitin 2023 dhe ngjarjet e Banjskës, Shekerinska theksoi se NATO reagoi me vendosmëri duke rritur numrin e trupave dhe forcimin e pranisë në terren.

“Kjo tregon angazhimin tonë të sinqertë jo vetëm në prezencën ushtarake, por edhe në mbështetjen e dialogut politik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Rruga e vetme drejt paqes së qëndrueshme kalon përmes negociatave politike,” deklaroi ajo.

Në vijim, Shekerinska veçoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, duke theksuar se ky partneritet bazohet në përfitime të ndërsjella dhe vullnet të lirë. Ajo shtoi se roli i KFOR-it si garantues i paqes dhe stabilitetit respektohet si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.

Sa i përket ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor, Shekerinska paralajmëroi për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese përmes dezinformimit dhe ndërhyrjeve politike. “NATO nuk do të qëndrojë pasive përballë këtyre veprimeve. Po forcojmë kapacitetet tona ushtarake dhe qëndrueshmërinë e shoqërive tona. Mesazhi nga samiti në Hagë ishte i qartë: do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Aleancës,” u shpreh ajo.

Në përfundim, zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s theksoi se Aleanca do të mbetet një partner i besueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke punuar për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button