Kosova

Dëshmitari në rastin Krasniqi: KEK vazhdoi tregtimin me HSE pa licencë

Në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, dëshmitari Hasan Kerolli ka deklaruar se edhe pas njoftimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), KEK-u ishte udhëzuar të vazhdojë tregtimin e energjisë me kompaninë Holding Slovenske Elektrane (HSE), e cila në atë kohë nuk kishte licencë për të operuar në Kosovë apo Shqipëri.

Kerolli, ekspert i lartë për tregtimin e energjisë, tha se HSE ishte e parakualifikuar gjatë nënshkrimit të kontratës EFT dhe se deri në vitin 2022 nuk ka pasur ndalesë nga ZRrE për tregtimin e energjisë. Ai shtoi se kontratat me KEK kërkonin plotësimin e disa kushteve, përfshirë licencën nga ZRrE, certifikatën e biznesit dhe dëshmi gjyqësore për mosdënim apo falimentim.

Sipas dëshmisë, KEK-u ka blerë energji nga HSE deri në janar 2022, kur importimi i energjisë u mor përsipër nga KESCO me vendim të Qeverisë së Kosovës. Në vitin 2022, Zyra për tarifa dhe çështje rregullative udhëzoi ndërprerjen e tregtimit me kompani që nuk janë të regjistruara në Kosovë ose nuk kanë licencë.

Gjatë seancës, Krasniqi nuk mundi të rimarrë në pyetje dëshmitarin pasi, sipas gjykatës, mbrojtja nuk ka të drejtë të bëjë këtë pas pyetjeve të Prokurorisë. Seanca vazhdoi me rimarrjen e dëshmitarit nga ana e Prokurorisë në sesionin pasditor.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button