Kosova

Negociatat për qeverinë e re, Kurti ende pa lëvizje – partitë opozitare kërkojnë zgjedhje të reja

Formimi i qeverisë së re në Kosovë po hyn në fazën vendimtare, por negociatat politike ende nuk kanë nisur. Ndërsa presidentja Vjosa Osmani e ka përmbushur detyrimin e saj kushtetues duke e mandatuar Albin Kurtin më 11 tetor për formimin e kabinetit të ri, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka zhvilluar ende asnjë bisedë konkrete me partitë e tjera për krijimin e shumicës parlamentare.

Kurti, i cili ka afat 15-ditor për ta paraqitur në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë, tha se është i angazhuar në analizimin e rezultateve të rundit të parë të zgjedhjeve lokale dhe se komunikimet për qeverinë e re do t’i nisë “së shpejti”. Ai ka përmendur datën 26 tetor si ditën e fundit të mundshme për mbajtjen e seancës ku do të prezantojë kabinetin e ri.

“Ne po bëhemi gati për Qeverinë Kurti 3. Nëse nuk ka qeveri Kurti 3, pa dyshim që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare,” deklaroi Kurti, duke lënë të hapura vetëm dy opsione – formimin e qeverisë ose rikthimin në zgjedhje.

Presidentja Osmani ndërkohë ka shprehur shpresën që “sa më parë të kemi qeveri me mandat të plotë”, duke kujtuar se ekzekutivi aktual në detyrë ka kompetenca të kufizuara.

Sipas Kushtetutës, nëse Kurti nuk arrin të sigurojë 61 vota në Kuvend, presidentja ka të drejtë që brenda 10 ditësh të mandatojë një kandidat tjetër. Nëse dështon edhe tentativa e dytë, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

Partitë opozitare tashmë janë pozicionuar drejt këtij skenari. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur bindjen dhe shpresën se zgjedhjet e reja do të mbahen brenda këtij viti. Të njëjtin qëndrim e ndan edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili i ka quajtur zgjedhjet “zgjidhjen e vetme”.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari Ramush Haradinaj po ashtu ka përmendur muajin dhjetor si periudhë të mundshme për zgjedhjet parlamentare.

Nga ana tjetër, Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate ka përjashtuar mundësinë e marrëveshjes me LVV-në për aq kohë sa Dimal Basha mbetet kryetar i Kuvendit, duke e kushtëzuar çdo bisedim të ardhshëm me ndryshime në kryesinë parlamentare.

Në këtë situatë, skenari i negociatave mbetet i hapur, por koha po shkon në favor të opsionit të dytë – zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat mund ta rikthejnë Kosovën në një tjetër proces elektoral brenda këtij viti.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button