Kosova

Kontrast mes shifrave: Sindikata raporton 26 vdekje në vendin e punës, Inspektorati i Punës vetëm 13

Deri në muajin tetor të këtij viti, në Kosovë janë raportuar dhjetëra raste tragjike të vdekjeve në vendin e punës, por të dhënat ndryshojnë mes institucioneve.
Sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, 26 punëtorë kanë humbur jetën gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa Inspektorati i Punës raporton vetëm 13 raste të tilla dhe 412 aksidente, prej të cilave 305 janë të rënda.

Këto shifra u bënë të ditura gjatë Konferencës së 11-të Ndërkombëtare me temën “Siguria në Punë dhe në Transport – Qasje të Integruara për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe për Mbrojtjen e Jetës”, të organizuar nga Kolegji “Tempulli”, AMRKS dhe Instituti për Siguri Rrugore dhe Hulumtime në Transport.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, akuzoi qeveritë e deritanishme për mosveprim ndaj kushteve të rënda të punëtorëve në sektorin privat.

“Qeveritë e mëhershme dhe edhe kjo qeveri kanë bërë zero për punëtorët e sektorit privat. Edhe në rastet e vdekjeve kemi parë raste kur inspektorët kanë ndihmuar pronarët e kompanive që fajtor të mbetet punëtori i vdekur,” – tha Azemi.

Ai shtoi se Sindikata mban shënime të detajuara për rastet e vdekjeve, duke theksuar se në disa raste punëtorët kanë humbur jetën më vonë në spital, por Inspektorati nuk i ka përfshirë këto raste në statistika, pasi nuk kanë ndodhur drejtpërdrejt në vendin e punës.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i divizionit ligjor në Inspektoratin Qendror të Punës, Arton Çerkini, deklaroi se deri në këtë periudhë të vitit janë regjistruar 13 vdekje dhe 412 aksidente, ndërsa theksoi se 32 inspektorë janë tashmë të kategorizuar për siguri dhe shëndet në punë.

Mospërputhja e shifrave mes institucioneve nxjerr edhe njëherë në pah mungesën e koordinimit dhe mbikëqyrjes efektive në fushën e sigurisë në vendin e punës, një problem që po i kushton jetën dhjetëra punëtorëve çdo vit në Kosovë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button