Kosova

Prokuroria ngre aktakuzë ndaj avokatit Ahmet Tahiri – akuzohet për përvetësim të mbi 309 mijë eurove nga kompensimi i klientit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj avokatit Ahmet Tahiri, duke e ngarkuar me veprën penale “Keqpërdorimi i besimit” sipas nenit 330, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, avokati Tahiri akuzohet se ka përfituar kundërligjshëm 309 mijë e 542 euro nga kompensimi i ndarë nga Ministria për të dëmtuarin Xhabir Kajtazi, pronar i kompanisë “Union” SH.P.K, të cilin ai e përfaqësonte në një procedurë për rritjen e vlerës së shpronësimit.

Në aktakuzë thuhet se më 7 prill 2025, Tahiri, duke ushtruar detyrën e përfaqësuesit ligjor, ka keqpërdorur autorizimet e tij me qëllim që të përfitojë personalisht një shumë të caktuar të hollash nga kompensimi i ndarë për klientin e tij, duke mos respektuar marrëveshjen fillestare verbale për shpërblim dhe duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në shkallë të madhe.

Çfarë përmban aktakuza

Prokuroria ka propozuar që Gjykata, me rastin e shqyrtimit gjyqësor, të ketë parasysh shkallën e lartë të dashjes, cenimin e pasurisë, lartësinë e dëmit dhe faktin që vepra është kryer nga një avokat.
Gjithashtu është kërkuar që ndaj të pandehurit të shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”.

Deklarimi i të dëmtuarit

Në deklaratën e dhënë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë më 2 korrik 2025, në prani të avokatit Gëzim Kolgeci, Xhabir Kajtazi tha se me avokatin Tahiri kishte një marrëveshje gojore për përfaqësim dhe pagesë sipas tarifës së Odës së Avokatëve të Kosovës.
Sipas tij, pas përfundimit të procedurës, Tahiri kishte kërkuar që mjetet e kompensimit nga Ministria të barten në llogarinë e tij personale, gjë që Kajtazi e kishte pranuar në mirëbesim.

Ministria kishte transferuar gjithsej 2 milionë e 547 mijë e 542 euro, ndërsa në llogarinë e kompanisë “Union” ishin dërguar 2 milionë e 100 mijë euro. Pasi kishte pyetur për diferencën, Tahiri i kishte thënë se kësti i dytë ende nuk ishte transferuar, por më vonë pranoi se mjetet ishin pranuar dhe se 9-10% i takonin atij si honorar.
Më 7 prill 2025, Tahiri i kishte transferuar 138 mijë e 351 euro, ndërsa 309 mijë e 542 euro sipas Kajtazit, nuk janë transferuar as deri sot.

Deklarimi i të pandehurit

Në deklaratën e tij të dhënë po atë ditë në Prokurori, në prani të avokatit Adrianit Ibrahimi, Ahmet Tahiri pranoi se kishte ndaluar një pjesë të shumës, duke pretenduar se ajo i përkiste atij në bazë të marrëveshjes gojore me klientin.
Ai tha se me Kajtazin kishin bashkëpunim të hershëm dhe se marrëveshjet ishin vetëm verbale, “në bazë të mirëbesimit”. Sipas tij, ishte dakorduar që kompensimi të derdhej në llogarinë e biznesit të tij “Tahiri & Partners”, dhe se pas pranimit të shumës prej 2.1 milionë eurosh, kishte kërkuar kompensim në vlerën 9% neto plus tatimet.

Prokuroria kërkon që pas analizimit të provave, Tahiri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për përvetësimin e mbi 300 mijë eurove nga kompensimi i klientit që ai përfaqësonte.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button