Edi Rama do të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare që do të mbahet më 17 tetor, në orën 17:00, në Tiranë.
Protesta do të zhvillohet në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, me thirrjen për një “gjykim të drejtë”.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media. Ai ka treguar se në këtë protestë do të mbajnë fjalë edhe ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Sipas Gucatit, nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë me pjesëmarrës që do t’i bashkohen protestës.
Një protestë e ngjashme ishte zhvilluar më 14 shtator në Hagë, në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Të katër këta ish-udhëheqës të UÇK-së po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që ata i kanë mohojnë plotësisht.



