Kosova

Ndërpritet seanca ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, për shkak të mungesës së dëshmitarit

Në mungesë të dëshmitarit Skender Muqolli, është ndërprerë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Muqolli, i cili mban pozitën e udhëheqësit të Departamentit të Tregut të Energjisë në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), kishte njoftuar Gjykatën përmes e-mailit se për arsye shëndetësore nuk mund të paraqitej në seancë.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, bëri të ditur se për shkak të mungesës së dëshmitarit dhe pamundësisë për zhvillimin e procedurës, seanca është ndërprerë deri në një njoftim të ri.

Nagip Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024, si dhe në atë të 3 korrikut 2025.

Aktakuza ndaj tij, e ngritur më 19 gusht 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e ngarkon Krasniqin me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button