Osmani mandaton Kurtin për formimin e Qeverisë së re, partitë opozitare refuzojnë bashkëpunimin me Vetëvendosjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar të shtunën liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për të tentuar formimin e Qeverisë së re, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.
Në njoftimin e publikuar nga Presidenca e Kosovës thuhet se Osmani ka nënshkruar dekretin për mandatimin e Kurtit, i cili aktualisht është kryeministër në detyrë. Ky vendim erdhi pasi Kuvendi i Kosovës u konstituua plotësisht me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga pakica serbe.
Pas mandatimit, Kurti deklaroi se procesi për krijimin e Qeverisë së re ka hyrë në fazën përfundimtare. Ai shtoi se “nëse arrihet një komunikim i suksesshëm për përbërjen e kabinetit të ri, nuk do të pritet afati i fundit për formimin e saj, që është 26 tetori”.
Ndërkohë, pas dekretimit të Kurtit, partitë opozitare kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, tha se partia e tij “nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk planifikon asnjë lloj koalicioni me Vetëvendosjen”, duke e akuzuar këtë forcë politike për izolim ndërkombëtar, sanksione evropiane dhe dështime ekonomike.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka konfirmuar qëndrimin e saj kundër bashkëpunimit me LVV-në. Deputeti Alban Zogaj kujtoi deklaratat e mëhershme të kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili kishte theksuar se “LDK nuk duan, nuk kanë dhe nuk punojnë për bashkëpunim me Vetëvendosjen”.
Nga ana tjetër, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, tha se partia e saj ende nuk ka marrë ftesë për takim nga Vetëvendosja dhe nuk ka diskutuar mundësinë e një koalicioni. Megjithatë, ajo theksoi se “pozita e kryeparlamentarit Dimal Basha mbetet shqetësim për Nismën”, duke shtuar se vetëm në rast dorëheqjeje dhe kërkim-faljeje nga ana e Bashës mund të ketë hapësirë për diskutim.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka konfirmuar gjithashtu refuzimin e saj për t’u bërë pjesë e një koalicioni me Vetëvendosjen. Deputetja Time Kadrijaj tha se AAK “nuk do ta votojë Qeverinë Kurti 3”.
Me këto qëndrime të qarta nga partitë opozitare, procesi i formimit të Qeverisë së re pritet të jetë sfidues për Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa afati kushtetues për konstituimin e ekzekutivit përfundon më 26 tetor.



