Bota

Trump kërcënon Kinën me tarifa 100% dhe rishfaq rrezikun e luftës tregtare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Kinën me tarifa shtesë prej 100 për qind dhe ka lënë të hapur mundësinë e anulimit të një takimi me presidentin kinez, Xi Jinping, duke rikthyer tensionet tregtare mes dy fuqive ekonomike më të mëdha në botë.

Sipas Trump, tarifat e reja, së bashku me kufizimet mbi “çdo lloj softueri jetik”, do të hyjnë në fuqi më 1 nëntor, si kundërpërgjigje ndaj asaj që ai e përshkroi si veprim “jashtëzakonisht agresiv” të Pekinit.

“Është e pamundur të besosh se Kina do të ndërmerrte një veprim të tillë, por e bëri, dhe pjesa tjetër është histori”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Aktualisht, mallrat kineze përballen me tarifa 30 për qind në SHBA, ndërsa Kina ka vendosur tarifa hakmarrëse prej 10 për qind. Tensionet lindin nga kufizimet e reja kineze mbi eksportin e mineraleve të rralla, të cilat janë thelbësore për prodhimin e telefonave inteligjentë, automjeteve elektrike, pajisjeve ushtarake dhe teknologjive të energjisë së ripërtëritshme. Kina kontrollon shumicën e prodhimit dhe përpunimit global të këtyre materialeve.

“Nuk ka shanse që Kina të lejohet ta mbajë botën ‘peng’”, shkroi Trump, duke e përshkruar veprimin e Pekinit si “shumë armiqësor”.

Ai gjithashtu vuri në dyshim takimin me presidentin Xi në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Korenë e Jugut më vonë këtë muaj, megjithëse më vonë deklaroi se nuk e kishte anuluar plotësisht.

Trump tha se disa vende të tjera kanë kontaktuar Shtetet e Bashkuara për të shprehur shqetësimin e tyre ndaj politikës tregtare të Kinës. Lufta tarifore mes SHBA-së dhe Kinës ka kërcënuar këtë vit të ndalojë plotësisht tregtinë midis dy ekonomive më të mëdha botërore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button