Petkovic akuzon raportuesin e PE-së për “lobim pro-Prishtinës” pas kritikave ndaj Serbisë

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, ka reaguar ashpër ndaj Raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, pas akuzave të këtij të fundit për ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë.
Terras kishte shkruar të premten se përkrahja e shtetit serb ndaj një partie politike në Kosovë tregon ndërhyrje të qartë në procesin zgjedhor.
Petkovic e ka quajtur Terrasin “lobist i Prishtinës” dhe e ka akuzuar për heshtje ndaj veprimeve të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, duke shkruar se Terras nuk ka reaguar ndaj “mbylljes së institucioneve serbe, arrestimeve të serbëve, zgjedhjeve të rreme dhe ndalimit të cirilikës dhe dinarit”.
Ai e përshkroi reagimin e Terrasit si “të rremë” dhe tha se shqetësimi i tij për situatën në Kosovë nuk është i sinqertë.



