Kosova

Publikohet audio-incizimi që përfshin Fatmir Shehollin, Duda Baljen dhe Amir Rrustemoviqin

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka publikuar të premten një audio-incizim ku dëgjohen zëra të cilët, sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi”, u përkasin të arrestuarit për spiunazh Fatmir Sheholli, deputetes Duda Balje dhe një personi tjetër me emrin Amir Rrustemoviq.

Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Amir Rrustemoviq ka konfirmuar se në audio-incizim dëgjohet ai bashkë me deputeten Balje dhe Shehollin.

“Po, edhe me Fatmir Shehollin”, ka deklaruar ai.

Kur është pyetur se çfarë është diskutuar gjatë takimit, Rrustemoviq është shprehur se nuk mund të japë detaje, duke thënë se “është njeri i shtetit” dhe se çështja është “sekret”.

“Jam njeri i shtetit, me shtetin jam 25 vjet… nuk muj ashtu me telefon, s’jam dallaveraxhi…”, ka shtuar ai.

Ai nuk ka dhënë as sqarime për raportin e tij me deputeten Duda Balje, duke e shmangur përgjigjen me tone humoristike.

Gazetarët e “Betimi për Drejtësi” kanë tentuar disa herë ta kontaktojnë deputeten Balje, por ajo nuk ka qenë e qasshme dhe nuk ka kthyer përgjigje në mesazhe.

Sipas raportimit të RTK-së, audio-incizimi tregon për lidhjet e mundshme të Fatmir Shehollit me përfaqësues të Listës Serbe. Në incizim, Sheholli dëgjohet duke thënë se ka “përkrahje të madhe” nga kjo parti dhe se ka “marrëdhënie të mira” me Milan Radoiçiq.

“Kam përkrahje jashtëzakonisht të madhe nga Lista Serbe… Miku im i madh është Milan Radoiçiq. Mos fol për të ashtu siç ke folur deri tani…”, dëgjohet duke thënë Sheholli.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fatmir Shehollit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.

Sheholli u arrestua të enjten në Prishtinë gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Prokuroria njoftoi se hetimet për këtë rast kanë zgjatur disa muaj dhe se janë kryer bastisje në banesën e të dyshuarit për të siguruar prova shtesë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button