Kosova

Gërvalla kërkon mbështetje të qartë nga BE për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka kërkuar mbështetje të qartë për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së të mbajtur dje në Luksemburg. Ajo theksoi rëndësinë që kanë këto procese jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin rajonal dhe evropian.

Në fjalën e saj, Gërvalla identifikoi tre hapa urgjentë që, sipas saj, janë kyç për stabilizimin e rajonit dhe avancimin drejt integrimit evropian: heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, përfundimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe mbështetja për aplikimin e vendit në BE.

Ajo rikonfirmoi përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës ndaj dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja dhe zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit të vitit 2023, duke nënvizuar se ky proces duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe ndërtim të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, në përputhje me vlerat evropiane.

Ministrja Gërvalla kërkoi gjithashtu veprime konkrete nga BE ndaj Serbisë, duke theksuar se kjo e fundit vazhdimisht mohon marrëveshjen dhe vepron në kundërshtim me dispozitat e saj.

Duke folur për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia dhe ndikimin e Rusisë në rajon, Gërvalla theksoi nevojën për mbështetje të fuqishme ndaj aspiratave të Kosovës për anëtarësim në NATO, si dhe kërkoi llogaridhënie për aktin e agresionit në Banjskë, duke e cilësuar këtë si një çështje kyçe për sigurinë rajonale dhe integritetin e BE-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button