Kosova

Osmani dhe Kurti rikthehen në UP si “Alumni të Nderit” mes emocioneve dhe sinjaleve politike

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u nderuan sot në një ceremoni solemne me çmimin “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës”, të ndarë nga rektori i UP-së, Arben Hajrullahu.

Vetë prania e dy pushtetarëve në ambientet e universitetit publik u prit me emocione nga rektori Hajrullahu, i cili u shpreh se Osmani dhe Kurti “po e krenojnë Universitetin e Prishtinës brenda dhe jashtë vendit”.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani, e cila kohëve të fundit është parë më në sinkron me Kurtin pas disa përplasjeve të mëparshme, iu drejtua atij vetëm si “kryeministër”, duke lënë mënjanë parafrazimin “në detyrë”.

“Faleminderit shumë i nderuar rektor dhe të nderuar të pranishëm. I nderuar kryeministër Kurti, ministre Nagavci, të nderuar dekanë, profesorë, shumë të dashur studentë e studente…”, tha Osmani në hapje të fjalimit të saj.

Presidentja theksoi rëndësinë e dijes dhe arsimit si shtylla të së ardhmes së vendit, duke thënë se “një komb që nderon dijen, nuk ka asnjëherë asnjë arsye që të frikësohet nga e ardhmja”.

Ceremonia u zhvillua në një moment politik delikat, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar, për shkak të mungesës së zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb — vendim që rrëzoi interpretimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Osmani kishte shprehur më herët bindjen se Kuvendi duhet të konsiderohej i konstituuar, duke cituar fjalë që sipas mediave dolën nga një mbledhje e LVV-së. Ajo kishte paralajmëruar se, në rast të një aktgjykimi të tillë nga Kushtetuesja, do të thërriste menjëherë partinë e parë dhe do të procedonte me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Në pritje të zhvillimeve politike, ceremonia e sotme në UP u pa si një shenjë uniteti mes dy figurave kryesore të shtetit, të cilat ndanë të njëjtin nderim për kontributin e tyre në fushën e dijes dhe politikës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button