AKB akuzon ASK-në për manipulim të statistikave: “Rritja e remitancave nuk është sukses ekonomik, por pasojë e emigrimit”

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar me shqetësim ndaj një publikimi të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka prezantuar të dhëna për vitin 2024, duke i cilësuar ato si dëshmi për “rritje të jashtëzakonshme” të të hyrave nga mërgata dhe tregtia e jashtme, në krahasim me vitin 2014.
Në reagimin e saj zyrtar, AKB ka vënë në dyshim metodologjinë e përdorur nga ASK, duke e cilësuar krahasimin 10-vjeçar si “të pazakontë dhe të paarsyetuar profesionalisht”, ndërsa ka ngritur dyshime për motivime politike pas këtij publikimi.
“ASK ka zgjedhur të krahasojë të dhënat e vitit 2024 me ato të vitit 2014, pa ofruar asnjë arsyetim profesional për këtë zgjedhje. Kjo na bën të besojmë se kemi të bëjmë me një manipulim të qëllimshëm të statistikave, në funksion të propagandës politike, në një kohë kur vendi ndodhet në atmosferë zgjedhore,” thuhet në reagimin e AKB-së.
Sipas Aleancës, përpjekja për ta paraqitur rritjen e remitancave si sukses ekonomik është mashtrim publik, pasi këto të ardhura vijnë si pasojë e emigrimit masiv të qytetarëve.
“Remitancat janë para të dërguara nga mërgimtarët tanë – qytetarë që janë detyruar të largohen nga vendi për të kërkuar punë dhe jetë më të mirë. Ato nuk janë shenjë e zhvillimit ekonomik, por tregues i mungesës së mundësive në Kosovë,” thekson AKB.
Ndërsa e njeh rritjen e eksporteve si zhvillim pozitiv, AKB vlerëson se entuziazmi rreth saj është i tepruar, pasi krahasimi afatgjatë pa kontekst nuk pasqyron realisht gjendjen ekonomike të vendit.
Në anën tjetër, organizata thekson se rritja e importeve, nga 2.5 miliardë euro në vitin 2014 në 6.4 miliardë euro në vitin 2024, dëshmon për një varësi gjithnjë e më të thellë nga tregjet e jashtme, çka përbën “kërcënim për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”.
AKB i ka drejtuar tri pyetje kryesore ASK-së:
Pse u zgjodh krahasimi me vitin 2014, dhe jo me vitin paraprak apo periudhë pesëvjeçare?
Pse nuk u ofrua kontekst i qartë për publikimin?
Kujt i shërben ky prezantim – qytetarëve apo interesave politike?
Në fund të reagimit, Aleanca Kosovare e Bizneseve i bën thirrje ASK-së të ndalojë përdorimin e statistikave për qëllime politike dhe të rikthehet në standardet e profesionalizmit dhe transparencës.
“Kosova nuk ka nevojë për statistika të zbukuruara, por për politika konkrete që krijojnë vende pune, zhvillojnë sektorin privat dhe nxisin investime reale,” përfundon reagimi i AKB-së.



