MAShTI: Afati për verifikimin e aplikimeve për subvencionimin e teksteve shkollore përfundon më 10 tetor

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë thirrje ndaj të gjithë koordinatorëve të shkollave që të përfundojnë verifikimin e aplikimeve për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore në platformën e-Kosova. Afati për përfundimin e këtij procesi është e premten, më 10 tetor 2025, në ora 23:59.
Sipas njoftimit të MAShTI-t, aktualisht janë 2,789 aplikime në pritje që duhet të shqyrtohen nga koordinatorët. Koordinatorët që hasin vështirësi teknike gjatë procesit mund të kontaktojnë për ndihmë në emailin [email protected]
ose në numrat e telefonit +383 38 200 65 058 dhe +383 45 834 248.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), që nga hapja e platformës më 15 gusht e deri më 3 tetor 2025, janë pranuar gjithsej 204,283 aplikime, prej të cilave 201,494 janë trajtuar, 196,057 janë aprovuar, ndërsa 5,437 janë refuzuar.
MAShTI falënderon koordinatorët për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre dhe apelon që të përfundohet verifikimi i aplikimeve brenda afatit të caktuar, në mënyrë që procesi të përmbyllet në kohë.



