Kosova

Avokati i Popullit dhe zëvendësit e tij vazhdojnë detyrën pas skadimit të mandatit

Institucioni i Avokatit të Popullit ka sqaruar se Avokati i Popullit, Naim Qelaj, dhe zëvendësit e tij, të cilëve u ka kaluar mandati, do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet me kompetenca të plota deri në zgjedhjen e udhëheqësve të rinj nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas komunikatës për publikun, Avokati i Popullit zgjidhet nga Kuvendi për një mandat pesëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ligji për Avokatin e Popullit parashikon që udhëheqësit e këtij institucioni do të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre edhe pas skadimit të mandatit, deri në zgjedhjen e pasardhësve.

Mandati i Avokatit të Popullit ka skaduar në fund të muajit shtator 2025, ndërsa mandati i zëvendësve ka përfunduar në qershor të këtij viti. Institucioni thekson se kjo praktikë është në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, për të garantuar funksionimin e pandërprerë të këtij institucioni.

“Duke pasur parasysh bazën kushtetuese dhe ligjore, si dhe standardet ndërkombëtare, Avokati i Popullit dhe zëvendësit e tij do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre me kompetenca të plota deri në zgjedhjen e udhëheqësve të rinj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button