Kosova

KQZ vendos kamera në çdo vendvotim për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Ashtu si në zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, edhe në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të vendosë kamera regjistruese në çdo vendvotim në vend.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se kamerat do të përdoren jo vetëm në vendvotime, por edhe në hapësirat ku zhvillohet procesi i numërimit të votave, përfshirë Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Sipas planifikimeve, 2,625 vendvotime do të mbulohen me kamera regjistruese. Në 2,571 prej tyre do të bëhet numërimi i fletëvotimeve për kryetarë të komunave dhe për subjektet politike në Kuvendet Komunale. Po ashtu, me kamera do të mbulohen qindra tavolina numërimi në 38 Qendra Komunale të Numërimit dhe dhjetëra të tjera në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve,” ka deklaruar Elezi.

Ai ka theksuar se vendosja e kamerave synon të garantojë sigurinë dhe integritetin e procesit zgjedhor.
“Pozicionimi i kamerave bëhet në mënyrë që të ruhet plotësisht fshehtësia e votës. Ato do të vendosen larg kabinave të votimit dhe nuk do të regjistrojnë momentin kur votuesi shënon preferencën e tij,” ka sqaruar Elezi.

Sa i përket ruajtjes së videove të regjistruara, zëdhënësi i KQZ-së ka theksuar se ato nuk do të monitorohen gjatë ditës së zgjedhjeve, por do të ruhen përkohësisht.
“Regjistrimi do të bëhet në mënyrë pasive dhe qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me kërkesë të institucioneve të zbatimit të ligjit. Materialet do të shkatërrohen brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultateve, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme,” ka shtuar ai.

KQZ ka bërë të ditur se këto masa janë pjesë e përpjekjeve për të rritur transparencën, besueshmërinë dhe sigurinë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Në ditën e zgjedhjeve, pas përfundimit të votimit, në vendvotime do të numërohen fletëvotimet për kryetarë të komunave dhe për subjektet politike, ndërsa në Qendrat Komunale të Numërimit do të numërohen votat e kandidatëve për Kuvendet Komunale. Votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe të diasporës do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button