Më 5 nëntor mbahet seanca në Gjykatën Supreme për padinë e OEK kundër ZRrE-së

Në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, më 5 nëntor do të zhvillohet seanca gjyqësore lidhur me padinë e iniciuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Seanca do të mbahet në objektin e Pallatit të Drejtësisë, në Sallën e Gjykimeve, duke nisur nga ora 10:00.
Sipas njoftimit të OEK-ut, qëllimi i seancës është shqyrtimi i ligjshmërisë së një akti nënligjor të ZRrE-së, me të cilin kompanitë në Kosovë janë detyruar të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike.
“OEK konsideron se ky vendim cenon interesat e përgjithshme ekonomike, rrit pasigurinë për konsumatorët dhe vendos barrë të padrejtë mbi bizneset e vogla dhe të mesme – shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik në vend,” thuhet në njoftim.
Oda ka ftuar ekspertët e energjisë, shoqërinë civile dhe akterët relevantë të kontribuojnë me analiza dhe dëshmi profesionale, me qëllim që para gjykatës të dëshmohet se vendimi i ZRrE-së është i pajustifikueshëm dhe i dëmshëm për bizneset dhe qytetarët.
Më 19 gusht 2025, OEK kishte njoftuar se kishte dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër ZRrE-së, për vendimin që detyronte bizneset të dilnin menjëherë në tregun e lirë të energjisë.
Nga ana tjetër, ZRrE ka theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë është një detyrim ligjor dhe evropian, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës që nga viti 2016, dhe se procesi është pjesë e transpozimit të direktivave të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, përfaqësuesit e bizneseve e kanë cilësuar këtë proces si të nxituar dhe të pa përgatitur, duke paralajmëruar se çmimi i energjisë për ta është rritur deri në tri herë më shumë pas hyrjes në tregun e lirë.



