ZRRE dhe Zëvendës Ambasadori i Gjermanisë diskutojnë liberalizimin e tregut të energjisë në Kosovë

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka zhvilluar një takim me Zëvendës Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, ku u diskutuan zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, me fokus të veçantë në procesin e liberalizimit të tregut energjetik.
Sipas njoftimit të ZRRE-së, gjatë takimit u theksuan benefitet afatgjata që sjell liberalizimi për konsumatorët, duke përfshirë rritjen e efikasitetit, përmirësimin e shërbimeve dhe mundësinë për të zgjedhur furnizuesin e energjisë. Gjithashtu, u diskutua rëndësia e këtij procesi për tërheqjen e investimeve në sektor, që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe energjetik të qëndrueshëm të Kosovës.
ZRRE ka theksuar se Gjermania ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit energjetik nëpërmjet mbështetjes teknike, ekspertizës dhe projekteve të ndryshme.
“Ky takim ishte një mundësi për të diskutuar mbi bashkëpunimet e mëtejme dhe për të rritur koordinimin në interes të zhvillimit të qëndrueshëm energjetik në Kosovë,” thuhet në njoftim.



