Kushtet atmosferike shkaktojnë dëme në disa komuna, Prishtina e menaxhueshme

Ndryshimet e papritura të motit kanë shkaktuar dëme materiale në disa komuna të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin. Megjithatë, sipas autoriteteve, situata është e menaxhueshme dhe pa pasoja në njerëz.
Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, tha se të gjitha ekipet kanë qenë në terren gjatë natës për t’u përballur me situatën. “Kemi pasur disa raste dëmtimesh në disa pjesë të Prishtinës, si në rrugën Fehmi Agani, pranë RTK-së, në rrugën Rasim Kiçina dhe në disa fshatra të tjera. Sot, rrugët janë të pastra, të kalueshme dhe të sigurta për të gjithë,” theksoi ai.
Në Prishtinë, në rrugën “Ibe Palikuqi” në lagjen Mat është raportuar për një lakim të një shtylle elektrike, ndërsa në parkun e qytetit dhe në rrugën Xhemail Prishtina, afër RTK-së, erërat e forta kanë rrëzuar lisa të mëdhenj.
Autoritetet e kryeqytetit po vazhdojnë punën në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.



