Osmani takon Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në Kopenhagë, riafirmon gatishmërinë e Kosovës për siguri rajonale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian që po mbahet në Kopenhagë.
Në këtë takim, Osmani tha se ka riafirmuar gatishmërinë e Kosovës për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, në Samitin e EPC në Danimarkë. Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë tonë për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Theksova po ashtu rolin vendimtar të NATO-s në garantimin e stabilitetit rajonal, si dhe përkushtimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme në përballjen me sfidat e përbashkëta”, shkroi Osmani.
Takimi me Rutte vjen në një kohë kur siguria rajonale mbetet një ndër temat kryesore të bashkëpunimit mes Kosovës dhe NATO-s.



