Maqedonia e Veriut drejt liberalizimit të vizave me SHBA, pjesë e Dialogut Strategjik

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të përfitojnë në të ardhmen nga udhëtimi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm me pasaportë, pa pasur nevojë për vizë. Heqja e vizave është një nga temat kyçe të Diskutimit Strategjik mes Shkupit dhe Uashingtonit, i nisur në qershor 2022.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme thanë për Radion Evropa e Lirë se institucionet maqedonase janë pjesë e grupeve të punës për përfshirjen në Programin e Heqjes së Vizave dhe Programin Global për Hyrje në SHBA. Megjithatë, autoritetet theksojnë se bëhet fjalë për një proces afatgjatë.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që prioritetet e institucioneve maqedonase në këtë drejtim janë përcaktuar qysh në fillim të Dialogut Strategjik”, deklaroi ish-ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
Edhe ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, gjatë vizitës në Nju Jork, tha se Uashingtoni nuk ka dhënë afate konkrete për liberalizimin e vizave, por e ka lënë çështjen të hapur brenda dialogut.
Përveç vizave, bashkëpunimi mes dy vendeve përfshin fusha të tjera si mbrojtja dhe siguria, energjetika, tregtia dhe investimet, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe lidhjet kulturore. Një ndër prioritetet është edhe modernizimi i poligonit ushtarak të Krivollakut, i cili përdoret nga forcat e NATO-s.
Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që ka nisur Dialogun Strategjik me SHBA-në, duke u konsideruar nga Uashingtoni si partnere e besueshme dhe faktor stabiliteti në rajon.
Ky vit shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.



