Përfundon dëshmia e James Covey në Hagë, mbrojtja e Thaçit kërkon shtyrje të afateve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka përfunduar dëshmia e James Peter Covey në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Covey kërkoi të jepte një koment përfundimtar, por trupi gjykues nuk e lejoi, duke arsyetuar se nuk mund të zhvillohej me pyetje pasuese.
Pas largimit të dëshmitarit, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, deklaroi se mbrojtja nuk do të mund ta përfundojë çështjen më 14 nëntor, sipas afatit të përcaktuar, dhe as të dorëzojë dosjen përfundimtare më 22 dhjetor. Ai njoftoi se do të bëhet një kërkesë e përbashkët për shtyrjen e këtyre afateve, pas konsultimeve me Prokurorinë.
Nga ana tjetër, avokati i Veselit, Rodeny Dixon, theksoi se ka edhe disa apele që duhet të shqyrtohen, përfshirë raporte mjeko-ligjore, përgjime dhe dëshmitarë të Rregullës 155, të cilat ndikojnë në ecurinë e procesit.
Me këtë u përmbyll seanca e sotme në gjykimin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.



