Osmani nga Kopenhaga: BE-ja të mos përkëdhelë Serbinë, konsistenca është çelësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një deklarate për media në Kopenhagë, ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian, kritikoi qasjen e Bashkimit Europian ndaj Serbisë dhe sugjeroi se BE-ja duhet të tregojë më shumë konsistencë ndaj agresorëve dhe diktatorëve.
Osmani tha se zbutja e autokratëve nuk çon kurrë në paqe të qëndrueshme, duke aluduar në luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë. “Vuçiqi po përpiqet të kopjojë Putinin, duke përdorur agresion dhe destabilizim ndaj fqinjëve. BE-ja nuk mund të shpërblejë Serbinë që zgjedh Moskën si rrugë përpara”, theksoi ajo.
Presidentja kujtoi edhe sulmin terrorist të Banjskës dhe theksoi mungesën e llogaridhënies nga BE-ja. Ajo shtoi se Kosova synon të jetë kontribuuese në BE dhe jo barrë, duke nënvizuar se vendi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij për anëtarësim, ndërsa pjesa tjetër varet nga shtetet anëtare.
Osmani gjithashtu paralajmëroi se boshllëqet e ndikimit në Ballkan i mbushin aktorë si Rusia, Kina dhe Irani, dhe nënvizoi rëndësinë e avancimit të procesit të zgjerimit për vendet që mbështesin vlerat e BE-së.
Kosova, sipas saj, është një nga vendet më të sigurta në Evropë dhe një kontribuese e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Në fund, Osmani u shpreh se durimi i Kosovës ndaj vonesave të aplikimit për anëtarësim nuk ka mbaruar dhe se presioni pozitiv ndaj BE-së është i nevojshëm për të mbështetur vendet që kontribuojnë realisht në vlerat europiane.



