Covey mohon se Thaçi dhe Agim Çeku ishin ekstremistë të UÇK-së

Dëshmitari James (Jock) Covey mohoi para Gjykatës në Hagë se i konsideron ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Agim Çekun, si ekstremistë. Ai deklaroi se, përkundrazi, i sheh si të kundërtën e ekstremizmit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Covey shtoi se, në librin e tij, kishte përmendur se ekstremistët e UÇK-së përdornin dhunë dhe terror për të dëbuar serbët jashtë Kosovës, por theksoi se Thaçi dhe Çeku nuk i përkasin kësaj kategorie.
Dëshmitari po ashtu mohoi të ketë parë ndonjë urdhër të lëshuar nga Thaçi gjatë periudhës së luftës ose ndonjë raport drejtuar tij që të nënkuptonte përfshirjen në krime. Covey tha se nuk kishte parë asnjë shenjë që ta bënte të dyshonte se Thaçi mund të kishte ndaluar ose parandaluar krimet e dyshuara nga pjesëtarët e UÇK-së.
Seanca u zhvillua me vështirësi për shkak të mungesës së përkthimit për një pjesë të dëshmisë.



