KQZ emëron mbi 520 ekipe për numërimin e votave në Qendrat Komunale të Numërimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për emërimin e më shumë se 520 ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat përbëhen nga mbi 2 mijë anëtarë.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në zgjedhjet lokale, votat për kandidatët për Kryetarë të Komunave dhe për subjektet politike për Kuvendet Komunale numërohen në vendvotime menjëherë pas përfundimit të votimit dhe evidentohen në formularë të veçantë.
Ndërkaq, votat për kandidatët për anëtarë të Kuvendeve Komunale do të numërohen në Qendrat Komunale të Numërimit, përmes ekipeve të caktuara nga KQZ-ja.
Përveç numërimit të këtyre votave, në qendrat komunale do të bëhet edhe verifikimi i votave të subjekteve politike, duke u bazuar në formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve, sipas Rregullores Zgjedhore nr. 16/2024.
Ky proces është pjesë e përgatitjeve të KQZ-së për sigurimin e një numërimi të saktë dhe të besueshëm të rezultateve të zgjedhjeve lokale.



