Stabilitet në rastet e reja me kancer të gjirit në Kosovë, por mjekët paralajmërojnë për rritjen e rasteve tek grupmoshat e reja

Në Kosovë, numri i rasteve të reja me kancer të gjirit gjatë periudhës janar–shtator 2025 ka qenë rreth 330, shifër e përafërt me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Lajmin e bëri të ditur drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, i cili e vlerësoi këtë si herën e parë që shënohet një stabilitet në numrin e rasteve të reja.
“Shpresojmë që deri në fund të vitit ky numër të mos jetë më i lartë sesa në vitin 2024. Me këto shifra, Kosova për herë të parë po shënon stabilitet sa i përket rasteve të reja me kancer të gjirit, gjë që është zhvillim pozitiv. Synimi ynë mbetet diagnostikimi i hershëm, sepse format e para të sëmundjes kanë sukses shumë më të madh në trajtim”, u shpreh Kurtishi.
Ai theksoi se grupmosha më e prekur mbetet ajo mes 50 dhe 60 vjeç, megjithatë është vërejtur një rritje e rasteve edhe tek moshat nën 50 vjeç, trend që sipas tij është i pranishëm edhe në nivel global.
“Është shqetësuese rritja e rasteve tek të rinjtë, edhe pse kjo nuk e rrit numrin total, por sjell më shumë pacientë në moshë të re. Prandaj është jetike të rritet vetëdijesimi dhe kontrollet e rregullta”, tha ai, duke apeluar që çdo grua të kryejë mamografi të paktën një herë në vit.
Simptomat e kancerit të gjirit, sipas tij, zakonisht shfaqen në faza të avancuara dhe përfshijnë ndryshime në ngjyrë, formë apo madhësi të gjirit, dhimbje, inflamacion dhe rrjedhje nga gjiri.
Në kuadër të muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, nga sot në Kosovë ka nisur zyrtarisht fushata e sensibilizimit, me qëllim rritjen e informimit për diagnostikimin dhe trajtimin sa më të hershëm të kësaj sëmundjeje.



