Raporti i SHBA-së: Kosova bën përpjekje kundër trafikimit, por dënimet mbeten të ulëta

Departamenti amerikan i Shtetit ka renditur Kosovën në Nivelin 2 në raportin e fundit për trafikimin me njerëz, duke e vlerësuar vendin për përpjekjet e konsiderueshme, por jo të plota, në luftën kundër këtij fenomeni. Në të njëjtën kategori janë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
Raporti, i publikuar më 29 shtator, thekson se Kosova ka përmirësuar ndjekjen penale të trafikantëve dhe ka identifikuar më shumë viktima krahasuar me vitin e kaluar. Financimi për mbështetjen dhe kompensimin e viktimave është rritur ndjeshëm, duke përfshirë 150.000 euro për qendrën e sigurisë për viktimat e rrezikuara dhe 200.000 euro fond për kompensim.
Megjithatë, raporti nënvizon se dënimet ndaj trafikantëve mbeten të ulëta, shpesh nën minimumin ligjor, dhe rastet e fëmijëve të detyruar të lypin trajtohen shpesh si neglizhencë, jo trafikim. Vitet e fundit, autoritetet ndoqën penalisht 17 raste të reja me 49 trafikantë të dyshuar, por gjykatat dënuan vetëm një person me tetë muaj burg, nën dënimin minimal prej pesë vjetësh.
Trafikimi prek të gjitha komunitetet, por janë veçanërisht të cenueshme gratë, vajzat, fëmijët, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe personat LGBTQ+, migrantët dhe refugjatët. Gratë dhe vajzat shpesh rekrutohen me premtime pune ose martese dhe më pas trafikohen seksualisht në klube, shtëpi private ose qendra masazhi, ndërsa fëmijët shfrytëzohen për lypje të detyruar.
Raporti rekomandon forcimin e ndjekjes penale të trafikantëve, dënime më të rënda, trajnime për gjyqtarë, prokurorë dhe policinë, si dhe rritjen e kapaciteteve dhe financimeve për qendrat sociale dhe strehimoret e organizatave joqeveritare.
Departamenti amerikan vlerëson përpjekjet e Kosovës, por thekson se duhet një angazhim më i madh për të përmbushur standardet minimale ndërkombëtare në luftën kundër trafikimit me njerëz.



