KQZ synon të publikojë dy lloje rezultatesh preliminare më 12 tetor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në ditën e zgjedhjeve lokale, më 12 tetor, do të publikojë dy lloje të rezultateve preliminare: ato për zgjedhjet e Kryetarëve të Komunave dhe për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për KosovaPress se tashmë janë marrë masat e nevojshme për të shmangur problemet teknike që kishin shoqëruar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kur dështoi transmetimi i rezultateve preliminare të subjekteve politike.
“Në përgjigje ndaj sfidave të paraqitura në zgjedhjet e fundit, për Zgjedhjet Lokale është zhvilluar një softuer i ri për rezultatet preliminare nga vendvotimet, Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendra e Numërimit dhe Rezultateve,” theksoi Elezi.
Ai bëri të ditur se përveç rezultateve preliminare, gjatë ditës së zgjedhjeve publiku do të njoftohet edhe për pjesëmarrjen e votuesve, sipas orareve të caktuara, të detajuara për çdo komunë, qendër votimi dhe vendvotim.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve për kryetarët e komunave dhe subjektet politike bëhet në vendvotime, ndërsa numërimi i votave për kandidatët për Kuvendet Komunale kryhet në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat do të jenë të vendosura kryesisht në palestra sportive.



