Kosova

Anulohet seanca e sotme në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë është anuluar seanca e planifikuar për sot në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

DHSK-ja nuk ka bërë të ditura arsyet e anulimit, por ka njoftuar se seanca e radhës do të mbahet nesër, më 30 shtator 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Procesi ka hyrë në fazën e mbrojtjes, e cila nisi më 15 shtator 2025 me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin. Pas tij kanë dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, si dhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark.

DHSK-ja ka njoftuar se më 14 nëntor 2025 pritet përfundimi i çështjes së mbrojtjes, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara ndaj viktimave do të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Kujtojmë se më 15 prill 2025, Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e provave, ndërsa më 16 korrik ishte rrëzuar kërkesa e mbrojtjes për rrëzimin e disa akuzave, të cilat lidhen me ngjarje jashtë periudhës kohore të aktakuzës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të konfirmuara më 26 tetor 2020. Në paraqitjet e tyre të para në nëntor 2020, të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button