Kosova

Konfirmohet rasti i parë me PPR te delet në fshatin Landovicë, Prizren

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar sot se është konfirmuar prania e sëmundjes PPR (Murtaja e ruminantëve të vegjël) në një fermë dele në fshatin Landovicë të Komunës së Prizrenit.

Sipas AUV-së, diagnoza është vërtetuar pas hulumtimeve në terren dhe analizave të kryera në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë. Kjo sëmundje nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e tyre, por shkakton dëme serioze në blegtori, duke rritur ngordhshmërinë dhe duke sjellë pasoja të rënda ekonomike për fermerët.

Institucioni ka ndërmarrë disa masa për të parandaluar përhapjen e PPR-së, përfshirë:

kontroll dhe mbikëqyrje të vazhdueshme në zonën e prekur,

asgjësimin e kafshëve të infektuara,

kufizimin e lëvizjes së kafshëve drejt zonave të tjera,

bashkëpunimin me fermerët lokalë.

AUV u bën thirrje fermerëve dhe qytetarëve që të raportojnë menjëherë tek shërbimet veterinare çdo rast me shenja klinike si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda e sytë, diarre, pneumoni apo kollitje e vazhdueshme.

“Respektoni masat dhe udhëzimet e inspektorëve dhe veterinerëve zyrtarë. Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin e tyre shëndetësor. Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të mbrojmë blegtorinë tonë”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button