Kosova humb miliarda euro nga mos-pjesëmarrja e grave në tregun e punës

Pjesëmarrja e grave në tregun e punës në Kosovë vazhdon të jetë e ulët, duke kufizuar potencialin ekonomik të vendit. Kjo u theksua në një tryezë të organizuar nga Instituti Riinvest, me temë: “Zhbllokimi i potencialit: Kostoja ekonomike e potencialit të pashfrytëzuar të grave”, e mbështetur nga UNFPA dhe e financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani, tha se hendekët gjinorë në punësim përbëjnë një nga sfidat më të mëdha strukturore të Kosovës. Ai shtoi se dokumenti i prezantuar tregon se mbyllja e këtij hendeku mund të rrisë Prodhimin Vendor Bruto (PVB) për frymë deri në 19-21%, ndërsa vetëm mbyllja e hendekut në pjesëmarrjen në fuqinë punëtore mund të sjellë një rritje prej rreth 6%.
“Ky dokument nuk është thjesht një pasqyrë e problemeve, por tregon edhe potencialin e madh ekonomik të pashfrytëzuar të vendit tonë,” tha Hashani.
Koordinatori i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, Stephan O’Malley, theksoi se mos-pjesëmarrja e grave pengon arritjen e objektivave të Agjendës 2030, duke ulur ritmin e zhvillimit dhe kohezionin shoqëror. Ai kujtoi se barazia gjinore lidhet ngushtë me objektivat për punë të denjë, uljen e pabarazive dhe çrrënjosjen e varfërisë.
Ndërkaq, shefja e zyrës së UNFPA në Kosovë, Visare Mujku, tha se kjo është një çështje urgjente që kërkon veprim të menjëhershëm nga të gjithë sektorët e shoqërisë, nga institucionet deri te sektori privat. “Duke mbyllur hendekun gjinor në punësim, mund të rrisim PBB-në për frymë deri në 21.1%. Kjo nuk është një shifër teorike, por një mundësi konkrete për një të ardhme më të begatë,” tha Mujku.



