Paralajmërim për “SMS blaster”: Pajisje që përgjojnë telefonat nga një kilometër larg

Zyra Federale e Sigurisë Kibernetike ka lëshuar një paralajmërim të ri në lidhje me të ashtuquajturat “SMS blaster”, pajisje të rrezikshme që imitojnë antenat mobile dhe u japin mundësi mashtruesve të përgjojnë komunikimet telefonike.
Ndryshe nga format klasike të phishing-ut, këto pajisje lejojnë kriminelët të synojnë njëkohësisht të gjithë telefonat që gjenden brenda një rrezeje deri në një kilometër.
Zakonisht të fshehura në makina, çanta shpine apo edhe biçikleta, pajisjet i detyrojnë telefonat inteligjentë aty pranë të lidhen me rrjetin më pak të sigurt 2G, përpara se të dërgojnë mesazhe të rreme SMS, ku shpesh kërkohet pagesa e gjobave të sajuara të parkimit.
Zyrtarët theksojnë se përdoruesit duhet të tregojnë vigjilencë dhe skepticizëm, pasi këto mbeten mënyrat më të mira për t’u mbrojtur nga mashtrimet e tilla teknologjike.



